Secondary Adv

Treguesit gjeografikë të produkteve dhe emërtimet e origjinës, drafti në konsultim publik

Ministria e Ekonomisë propozon një ligj të ri të harmonizuar me BE-në për mbrojtjen e produkteve shqiptare.

Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë në konsultim publik projektligjin e ri “Për treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës”, një akt që synon të krijojë për herë të parë një kuadër të plotë, të posaçëm dhe të harmonizuar me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e produkteve shqiptare të lidhura ngushtë me territorin, traditën dhe cilësinë. Drafti përfaqëson një hap të rëndësishëm reformues, duke e ndarë këtë fushë nga ligji i përgjithshëm për pronësinë industriale dhe duke e trajtuar atë me një ligj të veçantë, të dedikuar dhe shumë më të detajuar.

 

Sipas relacionit shpjegues, projektligji synon rregullimin e plotë të marrëdhënieve juridike që lidhen me treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës, të cilat deri më tani rregulloheshin vetëm pjesërisht nga ligji nr. 9947/2008 “Për Pronësinë Industriale”. Ky ligj, ndonëse i ndryshuar disa herë ndër vite, ka rezultuar i pamjaftueshëm pasi trajtonte njëkohësisht disa objekte të pronësisë industriale. Drafti i ri përbëhet nga 115 nene, krahasuar me vetëm 14 nene që parashikonte ligji aktual për këtë fushë.

 

Forcimi i mbrojtjes dhe vlera ekonomike

Një nga objektivat kryesorë të projektligjit është forcimi i mbrojtjes së treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës, për shkak të rolit të tyre në zhvillimin ekonomik, rritjen e vlerës së produkteve vendase dhe mbrojtjen nga abuzimet në treg. Ligji i ri synon të garantojë që vetëm prodhuesit që respektojnë specifikimet përkatëse të kenë të drejtë të përdorin emërtimin e mbrojtur, duke rritur besueshmërinë për konsumatorët dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

 

Përafrimi me legjislacionin e BE-së

Projektligji është ndërtuar mbi bazën e përafrimit të plotë me acquis communautaire dhe reflekton rregulloret më të fundit të Bashkimit Evropian, përfshirë Rregulloren (BE) 2024/1143 për treguesit gjeografikë të verës, pijeve alkoolike dhe produkteve bujqësore, si dhe Rregulloren (BE) 2023/2411 për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale. Ky harmonizim konsiderohet thelbësor për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

 

Roli i grupit të prodhuesve dhe procedurat

Një risi e rëndësishme është trajtimi i detajuar i grupit të prodhuesve si subjekt kryesor që ka të drejtë të aplikojë për regjistrimin e një treguesi gjeografik ose emërtimi origjine. Projektligji përcakton qartë kriteret, rastet kur një prodhues i vetëm mund të trajtohet si grup dhe detyrimet që burojnë nga ky status. Parashikohen gjithashtu procedura të qarta për regjistrimin, ndryshimin, shfuqizimin dhe kundërshtimin e aplikimeve, si dhe një fazë konsultimi dhe negociimi mes palëve për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve.

 

Mbrojtja pas regjistrimit dhe produktet artizanale

Drafti forcon ndjeshëm masat e mbrojtjes pas regjistrimit, duke përcaktuar të drejtat e mbajtësve, ndalimet për përdorim të paautorizuar dhe masat ndaj shkeljeve, përfshirë konfiskimin e produkteve dhe të drejtën për shpërblim dëmi. Projektligji trajton për herë të parë edhe treguesit gjeografikë për produkte artizanale dhe industriale, duke hapur rrugën për mbrojtjen ligjore të produkteve tradicionale me lidhje të fortë me zonën gjeografike dhe trashëgiminë kulturore.

 

Nga këndvështrimi buxhetor, projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe nuk kërkon shtim të stafit apo ndryshim tarifash, por synon rritjen e eficiencës së sistemit aktual. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit fton prodhuesit, grupet e interesit, ekspertët dhe publikun të kontribuojnë në konsultimin publik, me qëllim që ligji final të reflektojë nevojat e tregut dhe të shërbejë si instrument efektiv për promovimin e produkteve shqiptare me identitet të certifikuar.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat